Meta se dekretoi se ishte ushtarak/ Rama tregon se si mund të zgjidhet kriza për Lleshin
Aty fillimisht dallohet qartë se Presidenti e ka refuzuar dekretimin e parë të kandidaturës për ministër të Brendëshëm thjeshtë për faktin se ai ishte gjeneral ende në detyrë. Dhe meqë kushtetuta jonë e pengon që një anëtar kabineti të kryejë edhe detyra të tjera (shiko këtu poshtë/lapsi.al) kreu i shtetit nuk e ka firmosur atë.Debati Rama – Meta/ Si lexohet dhe kujt i jep të drejtë Kushtetuta?
Por, pas letrës publike të Metës është tejet interesante të lexohet kundërpërgjigja e Ramës. Ai që e akuzoi vëllain e tij armik se po shkelte hapur kushtetutën, në përgjigjen e sotme është tërhequr ndjeshëm. “As unë as ti nuk jemi juristë” thotë në mënyrë të divulguar Rama, duke pranuar se ekspertët ligjorë të kryeministrisë bëjnë një interpretim të ndryshëm nga ata të presidencës. Pra, pasi e akuzoi Metën për një krim madhor –shekeje kushtetute- ai tani si pa të keq thotë se ende nuk i dihet kush ka pasur të drejtë. Por më e bukura vjen më pas. Ajo qëndron te zgjidhja që ofron Rama. Me pak fjalë ai thotë. “Unë ndryshe nga presidenti nuk e pranoj që Lleshi ka qenë ushtarak ende në detyrë, por kjo s’ka problem. Ai le të japë dorëheqjen si gjeneral dhe Meta ti hapë rrugën për ministër”. Dhe mbi këtë logjikë absurde, ai e detyroi edhe kandidatin për ministër të brendëshëm, - që në Opinion shprehu një adhurim të pakufishëm për shefin e vet - të shkruajë letrën më absurde që mund të bëjë një zyrtar: atë të dorëheqjes nga një gjë që nuk pranon se ka qenë. Pra e thënë shkurt: qëllimi justifikon çdo mjet. Eshtë pikërisht ky lloj të arsyetuari që na tregon për mënyrën kriminalisht sipërfaqësore me të cilën e drejton shtetin Edi Rama. Ajo nuk ka lidhje as me një debat konstitucinalistësh as me përkufizimin e vijave ndarëse mes institucioneve. Mënyra se si Rama do të zgjidhi emërimin e Sandër Lleshit për ministër, i ngjan metodave që ai përdor për të grabitur me koncesionet dhe PPP-të. Ajo është njësoj me mendësinë: na duhet toka publike e teatrit për kulla, hajde bëjmë një ligj special që e tejkalon kuadrin ligjor; na duhet të grabisim toka në bregdet, hajde shpallim investitorë strategjikë; na duhet t’i japim klientëve tanë Check –Upin apo inceneratorët, hajde bëjmë një garë pa konkurentë. Pra në thelb, ajo është një përdhosje e çdo ligji dhe rregulli vetëm e vetëm për të mbërritur tek synimi. Prandaj të gjithë ata që janë ekzaltuar se po bëheshin dëshmitarë të një debati sqimëtar dhe me peshë, sërisht do mbeten të zhgënjyer. Sepse në gjenezë ai u prodhua nga po ai njëjti Ramë, tërësisht banal si gjithmonë. ©Lapsi.al